Dhimbje e re koke e Alegrit para ndeshjes me Realin e Madridit

Ka shumë mundësi që “shtylla” kryesore e mbrojtjes italiane, Xhorxho Kielini, të mungojë në ndeshjet miqësore të ardhshme të Italisë me Argjentinën dhe Anglinë, ndërkohë që në pikëpyetje është edhe pjesëmarrja e tij në ndeshjen çerekfinale të Juventusit me Realin e Madridit në Champions. Kielini është komandanti i repartit të mbrojtjes së Juves, por, në ndeshjen e së shtunës me SPAL-in, ai dëmtoi një muskul, kurimi i të cilit nuk dihet sesa do të zgjasë. Kielini 33-vjeçar do t’i krijojë një problem të madh trajnerit Masimo Alegri, nëse ai nuk do të jetë gati për ndeshjen e 3 prillit në Madrid, ndërkohë që në atë të ndeshje do të mungojë edhe Mehdi Benatia.

Pa të dy këta lojtarë në mbrojtje, Juventusi do ta ketë të vështirë që ta ndalojë Ronaldon që, në ndeshjen e fundit kundër Xhironës, shënoi katër gola dhe, tani, ka gjithsej 22 gola në La Liga, duke treguar se ka ardhur përsëri në një formë të shkëlqyer. Ndërkohë, duhet të kihet parasysh se, pasi Reali e ka humbur garën për titull në kampionatin spanjoll, Campions-i ka mbetur konkurrimi i vetëm, të cilin tani e synon me të gjitha forcat trajneri Zined Zidane. Por edhe “zonja e vjetër” torineze nuk duhet të nënvleftësohet, pasi ajo do që të hakmerret për humbjen e vjetshme të thellë nga Reali në finale të Champions-it.

Sfidanti.al