Montela: Iu luta Milanit që të më jepte më shumë kohë, por…

Trajnerit aktual të Seviljes, Vinçenco Montela, më në fund, i erdhën në dorë “pesë minutat e veta”. Në fakt, është interesante rruga e tij me tatëpjeta e të përpjeta gjatë pak muajve të fundit. Verën e kaluar, kryesia e Milanit bashkë me Montelën shpenzuan mëse 200 milionë euro që të krijonin një ekip të ri, ndërkohë që të gjithë prisnin rezultate eksprese, por ai, Montela, shumë shpejt, në mungesë të këtyre rezultateve, e pa veten te dera e daljes së Milanit. Por, në janar, ai, papritur, u gjend në stolin e drejtimit të Seviljes, ku edhe atje pati një start të trazuar, por, gradualisht, Montela filloi të përpjetën, deri sa arriti kulmin, duke eliminuar Mançester Junajtidin, madje, e bëri këtë me një stil të lartë.

Në një bisedë të fundit me mediumet italianë, Montela “hapi shpirtin”, ndërsa foli edhe për kohën, kur ai drejtonte Milanin, duke theksuar se ai kishte nevojë për pak më shumë kohë që t’u gjente recetën e duhur lojtarëve kuqezi.

“Ne paguhemi që të bëhemi viktima. Unë bëra më të mirën që mundesha dhe, sigurisht, që kam bërë edhe gabime, ashtu si edhe të gjithë të tjerët. Verën e kaluar, te Milani erdhën 10 lojtarë të rinj, shumë nga ata nga liga të tjera pa asnjë përvojë ndërkombëtare. Dikush priste rezultate eksprese, por shumë prej atyre që erdhën, nuk kishin fituar asnjë trofe, kështu që atyre iu duhej më shumë kohë që të adaptoheshin. Kryesia e klubit duhet të kishte më shumë durim, duhet të më jepte mua më shumë kohë që ne të arrinim të krijonim vetëbesim”, theksoi Montela.

Tani, nën drejtimin e Xhenaro Gatuzos, Milani është përsëri në luftë për një vend që të çon në Champions, por, megjithatë, Montela tha se atë, tani, nuk i intereson shumë gjendja, në të cilën ndodhet Milani!

Sfidanti.al