I duruari i fituari, thotë populli. Shumë po duron edhe Antonio Konte, por ndoshta do ta ketë një trofe në këtë sezon të vështirë, gati të mallkuar. Çelsi i tij u kualifkua (përsëri) për në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë dhe do të luajë të paktën një ndeshje në “Uembli”.
Nuk ishte e lehtë të pritej kjo “biletë”, pasi Blutë e Londrës luanin në fushën e Leisterit, por duket se ata i thanë “boll” zhgënjimeve të këtij edicioni. Tepër të distancuar në Premier me zonën Champions, jashtë vetë Championsit të eleminuar nga Barcelona, futbollistët e Çelsit nuk u dorëzuan në kompeticionin më të vjetër të botës.
Të “harruarit” Pedro Rodrigez e Alvaro Morata shënuan golat që i dhanë kualifikimin të vetëve pas kohës shtesë, ndërsa Xhemi Vardi barazoi përkohësisht për “dhelprat”.”Trofeu i Kupës është shumë i rëndësishëm, – tha Konte pas ndeshjes, – vjet ishte fatkeqësi që humbëm finalen, por duam që të arrijmë përsëri aty”.
Shorti ishte i dashur për Çelsin pasi e vendosi përballë Sauthemptonit, ndërsa në ndeshjen tjetër gjysmëfinale do të përplasen Mançester Junajtid e Totenhemi. “Mos harroni se Mançester Siti u eleminua nga kjo kupë prej Uiganit”, – porosit Konte.
Sfidanti.al