Ky Milan duhet të tregojë veten gjithnjë, kaloi dhe drama me Kievon!

Momenti i keq duhej kaluar. Ky Milan i Xhenaro Gatuzos duhet të tregojë veten çdo javë, por të paktën ia doli ndaj Kievos dhe mbajti gjallë shpresat për Championsin. Nuk ishte ndeshja më e vështirë e mundshme, përkundrazi, por për një ekip pa përvojë dhe me mjaft emra të rinj, nuk është kurrë e lehtë. Për më tepër, Milani vinte në përballjen e Serisë A pas humbjes në Londër ndaj Arsenalit dhe eleminimit nga Liga e Europës.

Ndeshja e javës së 29-të doli shumë më e vështirë sesa pritej, edhe pse milanistët kaluan shpejt në epërsi me anë të Çalhanoglusë. Gabimet në mbrojtje dhe loja me besim e veronezëve bënë që gjithçka të përmbysej në “San Siro”. Futbolli e tregoi gjithë anën e tij të pabesë kur miqtë ndryshuan ndeshjen në vetëm 5 minuta, aq i plotë ishte kombinimi i reagimit të tyre me krizën momentale të vendasve. Stepinski e Ingleze ishin autorët e golave vërtet të bukur, dhe skuadra e Gatuzos u vu edhe një herë në provë.

Për fatin e tifozëve, testi u kalua, madje në favor të Milanit ishte edhe teknologjia që la në fuqi golin e barazimit të shënuar nga Kutrone, të cilësuar fillimisht si pozicion jashtë loje. Pas shifrave 2-2, milanistëve iu kthye besimi dhe logjikshëm edhe goli i Andre Silvës. Sulmuesi portugez, u kthye në vetëm dy ndeshje, nga një lojtar në krizë, në një njeri vendimtar për fitoret. Milani ka tani 50 pikë, duke mos u shkëputur nga pretendentët e tjerë për në Ligën e Kampionëve.

Sfidanti.al