Bajerni duhet të shkojë i pakënaqur drejt tripletës!

Kjo është formula fituese dhe jo vetëm tek bavarezët. Trajneri Jup Hajnkes mbeti i kënaqur nga reagimi publik i lojtarëve të tij pas fitores 3-1 në fushën e Beshiktashit në Champions. Veterani i pati si “muzikë për veshët e tij” fjalët e Tomas Mylerit në Stamboll. “Ndeshja pati edhe faza që nuk na kënaqën, – tha sulmuesi, – në mesin e pjesës së dytë ne e humbëm shpesh herë topin”. Edhe Zherom Boatengu nuk mbeti prapa, duke thënë se “ne bëmë shumë gabime idiote, ndërhyrje të gabuara, shpenzuam shumë energji më kot”.

Bajerni ka arritur disa fitore radhazi, por autokritika ka qenë gjithnjë aty. “Ne dominojmë kampionatin, ne kemi epërsi të madhe, por ka ende shumë procese dhe ne nuk mund të jemi kurrë të përsosur”, – shprehet Hajnkesi. Ky mentalitet është garancia më e madhe se bavarezët do të luftojnë seriozisht edhe për të fituar Ligën e Kampionëve, kompeticioni më i vështirë dhe që i ka shpëtuar nga duart që nga viti 2013, pikërisht kur i drejtonte Hajnkesi.

Sfidanti.al