Kristiano, “qetësia e mendjes” është edhe qetësi e trupit!

Kristiano Ronaldo është 33 vjeç, por mbetet një golshënues i madh. Superylli portugez tregoi në fushën e Eibarit se po kalon momentin më të mirë të sezonit, dhe llogaritë thonë se në 10 ndeshjet e fundit ka shënuar 17 herë. Diçka vërtet e rrallë për moshën e tij, ndërsa CR7-ta është “arma” më e fuqishme dhe aspak sekrete e Zinedin Zidanit për të mbrojtur sërish titullin në Champions.

Çfarë ndodhi me Ronaldon që u kthye sërish në formë? Natyrisht, kritikat e shumta kanë luajtur rol duke e prekur rëndë sedrën e tij të madhe, deri edhe të sëmurë. Gjithsesi, nuk është vetëm kjo arsyeja. Në të vërtetë portugezi është një profesionist i madh, që di të menaxhojë jetën dhe trupin e tij. Ndryshe nga ndonjë yll tjetër i sotëm apo i mëparshëm, ai kurrë nuk prodhon lajme për jetën e natës, apo për pijet alkoolike.

Po ashtu, së bashku me Zidanin kanë bërë një pakt, sipas të cilit, Kristiano nuk mund të luajë në çdo ndeshje. Trupi i tij nuk e përballon dot si 2 apo 3 vjet më parë, veçse rezultati është që në më pak kohë në fushë, ai shënon thuajse po aq gola. Plus aspektit profesional, Ronaldo ka edhe një fizik të mrekullueshëm që ia jep mundësinë të shkëlqejë edhe tani.

Së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, ka kohë që numri 7 “merenges” ka gjetur qetësi në shpirtin e tij, dhe nuk po bën luftën e përjetshme me klubin për t’i rritur rrogën. Nuk thonë kot që “qetësia e mendjes, është qetësia e trupit”.

Sfidanti.al