Suarez bën “en plein”, por Barça e ka mendjen tek Çelsi

Në përfundim të ndeshjes së djeshme në Malagë, trajneri Ernesto Valverde u detyrua të pranonte se futbollistët e tij e kishin mendjen më shumë tek dueli madhështor në Champions ndaj Çelsit, sesa tek takimi i La Ligës. Barazimi 1-1 në “Stemford Brixh” jep qetësi, por jo garanci të plota për kualifikimin për në çerekfinale, ndërsa Barcelona nuk dëshiron të mbetet prapa Realit që tashmë është i kualifikuar.

Në stadiumin e Malagës mungoi Mesi, që ishte pranë së shoqes në lindjen e fëmijës së tyre të tretë, si dhe Andres Iniesta, por talenti ishte më shumë se i mjaftueshëm. Luis Suarez e Filip Kutinjo shënuan gola të bukur, sidomos braziliani, dhe është mëkat që ai është “i djegur” për në Ligën e Kampionëve. Suarez ndërkaq realizoi “en pleinin” në La Liga, pasi Malaga ishte skuadra e vetme e kampionatit që ai nuk i kishte shënuar gol.

Gjithsesi, prova e madhe mbetet Çelsi. “Në mënyrë të pandërgjegjshme, instintike, ne nisëm të mendonim për Championsin në pjesën e dytë, – u shpreh Valverde, – shënimi i dy golave na ndihmoi të kontrollonim ndeshjen, ndërsa kartoni i kuq për Malagën na e lehtësoi edhe më shumë punën. Gjithsesi, do të duhet të vuajmë për t’u kualifikuar ndaj Çelsit”.

Sfidanti.al