Humbi në “Old Traford”? Liverpuli numëron “mëkatet” e arbitrit

Tre penallti të padhëna dhe dy kartonë të kuq të falur nuk është mënyra më e mirë për të drejtuar një ndeshje. Po ashtu, është ndihma më e madhe që mund t’i jepet një skuadre për të fituar ndeshjen, siç edhe ndodhi me Mançester Junajtidin. Arbitri ishte Krejg Pousn (Craig Paëson) dhe gjykoi Derbin e Anglisë në “Old Traford” me Junajtidit dhe Liverpulit, derbi që përfundoi 2-1 për vendasit.

Nuk ishte thjesht trajneri liverpulas, Jurgen Klop, por edhe mediat britanike që bërtitën me zë të lartë “gabim” për Pousonin. Mohamed Salah duhej të kishte fituar penallti, kur u pengua nga Eshli Jang në zonë,  Antonio Valensia duhej ndëshkua me penallti kur preku topin me dorë në zonë, dhe po ashtu Sadio Mane duhej ta kishte marrë penalltinë kur u rrëzua në zonë nga Felaini.

Jo vetëm kaq, por Markus Rashford duhej të kishte marrë të verdhën e dytë kur hyri brenda turmës së tifozëve për të festuar një nga golat, diçka që ka ndodhur më parë me çdo futbollist tjetër. Nëse Pouson do të ishte treguar korrekt me rregulloren, Rashford do të kishte dalë jashtë që në pjesën e parë.

Së fundi, Antonio Valensia ngriti takat dhe goditi në trup Sadio Manenë, por nuk mori karton të kuq direkt, siç duhej dhënë. Në përfundim, Jurgen Klop deklaroi në mënyrën e tij humoristike në konferencën për shtyp: “Nëse gjyqtari do të kishte dhënë ndonjë nga ato vendime, jeta ime do të kishte ndryshuar ndjeshëm”.

Sfidanti.al