Kukësi “betonohet” i dyti, Teuta humb duel mbijetese me Vllazninë

Tensioni padyshim ishte më i madh sesa dëshira për sportivitet. Kukësi e Teuta e nisën duke u përqafuar ndeshjen mes tyre të Superligës, veçse nervat nuk munguan të acaroheshin, për vetë objektivat e skuadrave. Dy kartonë të kuq ishte rezultati josportiv, përveç pesë golave të shënuar, në një takim ku kuksianët përforcuan pozitat në vendin e dytë, ndërsa durrsakët u futën edhe më shumë në rrezik për të rënë nga kategoria.

Fituan kampionët 3-2, edhe pse miqtë shënuan gol të parët me anë të Bilalit. Formacioni i trajnerit Pakult gjithnjë e më shumë po tregohet me autoritet dhe karakter të fortë, pavarësisht nga të papriturat gjatë një ndeshjeje. Po ashtu, veriorët kanë edhe fatin që për ta luan një sulmues race, Guri, që ishte autor i dy golave, pra që bëri pjesën më të madhe përsa i përket konkretizimit të lojës së ekipit.

Bashkë me lojtarë të tjerë me mjaft potencial si Kale në sulm, Musolli e Shkodra në mesfushë, Rrumbullaku në mbrojtje dhe Koliçi në portë, ky Kukës është vërtet i fortë. Nëse nuk do të ishte Skënderbeu, titulli do të fitohej edhe këtë vit. Suksesi bëri që kampionët të shkëputen në 6 pikë nga vendi i tretë, duke pasur 42 pikë në 24 ndeshje, duke shënuar edhe 41 gola, jo shumë poshtë korçarëve kryesues.

Teuta e pati humbjen shumë të rëndë. Kombinuar me barazimin e Vllaznisë në fushën e Kamzës, ajo solli si rezultat një diferencë prej 4 pikësh me shkodranët, ndërsa mbeten edhe 12 ndeshje për t’u luajtur deri në fund të Superligës. Shkodranët janë në vendin e tretë nga fundi, pozicion që të shpëton në fund.

Në krahun tjetër të tabelës, në konkurrimin për Europën, Laçi mundi 4-2 Flamurtarin dhe e barazoi me pikë në vend të tretë. Kurbinasit patën si lojtarin më të mirë në fushë, Rezhinaldon, autor të tre golave, ndërsa trajneri vlonjat i tyre, Mezani, e ka mundur dy herë këtë sezon, ekipin e e qytetit të tij.

Sfidanti.al