Eshtë gati 38 vjeç (i mbush më 17 dhjetor), por Mani Pakiao nuk ndalon së çudituri, duke fituar kurorën botërore, në peshën welter në WBO, për të tretën herë në karierën e tij. Boksieri nga Filipinet, i cili prej tre vjetësh endet mes ringut dhe politikës, ka fituar pastër me pikë ndaj sfidantit Xhesi Vargas, në një ndeshje të dominuar nga raundi i parë deri tek i fundit.
Tani rekordi i Manit është 59 fitore, 6 humbje dhe 2 barazime. Kush ka menduar që kariera politike do t’ia dëmtonte atë sportive, sigurisht që është gabuar, pasi ndaj Vegasit (10 vjet më të ri), Pakiao ka bërë ndoshta ndeshjen më të mirë në karierën e tij të mrekullueshme. Madje që në raundin e dytë, filipinasi e hodhi në tapet rivalin e tij, por më pas për të përfunduar, takimit iu deshën të 12 raundet.