Kukësi dhe Bakaj,  dashuri e tradhëtuar deri në ..shikim të fundit!

Fjalët e filozofit të futbollit, Arrigo Saki,  lidhur me mirënjohjen në futboll, më shumë se kudo, vlejnë për ne shqiptarët: “ Mirënjohja vlen më shumë sesa aftësitë teknike apo taktike”.  Përse e vodhëm këtë frazë nga libri i tij “Poshtë Saki, rroftë Saki”? Rasti i largimit të sulmuesit Bakaj nga Kukësi për në Bjellorusi tek Shahtjar dhe fjalët me pak mirënjohje nga klubi, sidomos nga presidenti Gjici,  zbulojnë një psikologji që kanë zënë vend në kokën tonë, një sëmundje e cila  nuk kurohet me ilaçet e duhura. Pak a shumë fjalët përcjellëse ndaj Elis Bakaj se sulmuesi kishte kohë që nuk po bënte “vezën e kuqe” dhe 12 golat e shënuar ishin një mision i limituar, më mirë të mos ishin thënë. Madje është momenti ideal për të kujtuar atë shprehjen e bekuar se heshtja është flori në rast se ke për të gabuar kur të flasësh. Kukësi, në nderin e një ekipi kampion, sidomos  kur “shet” një sulmues 30 vjeçar, kishte shansin e madh për të zgjedhur disa fjalë të tjera, që të tregonin më shumë mirënjohje sesa mospërfillje, më shumë nderim për atë që bëri sesa pendesë për atë që s’bëri..     

Elis Bakaj nuk ishte i bukur nga gjestet, vetëm para portës zbukurohej, madje mund të thuhet se, perapëseprapë,  mbetej  gjahu i preferuar i atyre tifozëve që ndizeshin me sharrje kur e kapnin në flagrancë me gjestet e tij karakteristike që binin ndesh me talentin për të dërguar topin në rrjetë.  Sulmuesit, sidomos kjo racë e futbollit, nuk shquhen për talentin me fjalët siç ndodh me topin gjatë lojës, por Bakaj, mu në “zemër” të divorcit , sapo ka dëgjuar deklaratat  që nënçmonin kontributin e tij, ka lënë topin dhe ka marrë penën për të bërë “golin” e sinqeritetit, ai që i mungon thellësisht lojës sonë, asaj që po të kishte gojë nuk do te mjaftonin veshët per t’i degjuar.

Në tokën ku edhe e vërteta është pronë e presidentëve, futbollisti ka lënë një pusullë para se të nisej për Bjellorusi:  “Ndodhi shumë papritur. Normalisht kisha dijeni pasi ishim në bisedime prej afro 2-3 javësh. Në këtë periudhë nuk isha transferuar ndonjëherë, por unë jam profesionist, futbolli është biznes dhe si unë edhe klubi duhet ta marrim si një gjë normale, sepse ndodh në të gjithë botën. Futbolli është i papritur, sepse sot je këtu, nesër mund të jesh në një vend tjetër. Unë jam mësuar me këto gjëra, nuk më bën përshtypje dhe nuk kam ndonjë peng. Besoj që kam bërë zgjedhjen më të mirë, shpresoj të kem shëndet që të bëj atë që di të bëj më mirë”.

 

Sfidanti.al