Harri Kejn shpreson të shkëlqejë në “Uembli” ndaj Juves

Këtë sezon ka shënuar 35 gola në 37 ndeshje, dhe 7 prej tyre në Champions. Harri Kejn është një nga heronjtë e momentit në Europë, jo larg Kristiano Ronaldos përsa i përket statistikave. Sulmuesi anglez i Totenhemit shpreson që kjo formë ta ndihmojë sonte në mbrëmje që të ketë një natë historike në stadiumin tepër historik të “Uemblit”.

Në lojë është kualifikimi për në çerekfinale, me Totenhemin në avantazh pas barazimit 2-2 në Itali, ndërsa Kejn do të duhet të fitojë duelin me Gonzalo Higuainin apo Paulo Dibalën. Kapiteni i Anglisë nuk deshi të fliste në prag të takimit, me trajnerin Poçetino që doli vetë në konferencë për shtyp, në krah të portierit Hugo Joris.

“Nga Juvja veçoj sidomos Higuainin, që është sulmues i klasit botëror, por po ashtu është Harri Kejn, – tha trajneri argjentinas, – Juventusi është në tërësi i fortë, por shpresoj të luajmë si pjesën e dytë në Torino dhe të kualifikohemi”. Poçetino beson fuqimisht se nëse Kejn dhe shokët e tij luajnë siç dinë, kualifikimi është plotësisht i mundshëm.

Në formë shumë të mirë edhe koreanojugori Son, por lajm i madh është kthimi nga dëmtimi i mbrojtësit të rëndësishëm Vertongen, që mund të jetë të paktën në stol për takimin e sotëm në 20:45.

Sfidanti.al