Taulant Xhaka në “gojë të ujkut”, a do “hajë dru” nga Siti?!

Bazeli ka ndoshta detyrën më të vështirë të të gjitha skuadrave të Ligës së Kampionëve, të përballojë Mançester Sitin në stadiumin “Etihad” pas katastrofës 0-4 në përballjen e parë të turit të dytë. Bashkë me lojtarët e tjerë, në terrenin e stadiumit doli edhe mesfushori i kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka, i cili pritet të luajë si gjithnjë titullar.

Çfarë do të mund të bëjë Xhaka dhe shokët e tij përballë një ekipi që cilësohet si më i miri në Europë për momentin? Përgjigjen e jep trajneri Rafael Viki. “Unë duhet të them se duhet të kemi besim, – u shpreh ai në konferencën në Angli, – por, do të dukesha pak si budalla përpara lojtarëve, prandaj më mirë të vendosim objektiva më realiste. Ndeshja do të nisë 0-0 dhe le ta shikojmë përballjen si dy pjesë të ndryshme, të marrim më të mirën nga ky takim”.

Bazeli duhet të jetë krenar që është ende në Europë, kështu mendon Viki, por me siguri një njeri tepër ambicioz si Taulant Xhaka nuk mund të jetë edhe aq i lumtur me kaq.

Sfidanti.al