Ka një padrejtësi në futboll, tepër e theksuar në anët tona, kur fiton ekipi lëvdohet më shumë presidenti, kur humbet, sidomos kur hallet qe shfaqen në fushë nuk janë vetëm teknike, por edhe morale, shigjetohet për vdekje trajneri. Këtë fat ka patur edhe italiani Agostineli, që u lumturua shumë kur e vunë në krye të kampionëve dhe, në një hark të limituar kohor, ndihet i tradhëtuar. Ndeshja në Vlorë, një humbje dinjitoze për kampionët, që nuk patën frikë të shtireshin përballë një kundërshtari, si Flamurtari, që donte ta fitonte me çdo kusht, gati me çdo çmim.
Sikur të thonim se skema e italianit Agostineli ka tjetërsuar ekipin, se nuk ka më fantazi në lojë, se mungojnë personazhet klasikë të kampionëve, kjo është një e vërtetë që nuk sakrifikohet dot. Por, cili do të kundershtonte se humbja në Vlorë, shkoi përtej kufirit që fajëson vetëm trajnerin, ndaj ngjitet në tribunë dhe tek presidenti Takaj. Njeriu që di më mirë se italiani të shpjegojë sëmundjen e rëndë që ka kapluar ekipin. Një ekip tjetër, një grup i panjohur, pa tru dhe pa zemër. Edhe kur buzëqeshte i humbur në tribunë,Takaj, dukej sikur thoshte: “ Ju thoni se kampionati bëhet më i bukur kur humbet Skënderbeu. Do shikoni kampionatin më të bukur..”
G.S