Fjalët e presidentit të FIFA-s në “vesh të shurdhët” në Iran?

Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ishte i pranishëm në një ndeshje zyrtare në Iran, ku nuk lejohet që femrat të ndjekin ndeshjet në stadium, pavarësisht se FIFA e dënon këtë lloj diskriminimi. Infantino, në fakt, erdhi në Iran për një vizitë dyditore për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 100-vjetorit të krijimit të Federatës së Futbollit të Iranit. Ai, gjithashtu, ndoqi ndeshjen derbi, të zhvilluar mes Esteglalit dhe Persepolisit në stadiumin e Teheranit, Azadi”, para 95 000 shikuesve.

Policia ndaloi disa femra që u përpoqën të hynin në stadium. Në Iran, femrat nuk lejohen që t’i ndjekin ndeshjet bashkë me burrat. Infantino tha se ai do të përpiqej që ta ndryshonte një gjë të tillë, duke vënë në dukje se ai vetë kishte katër vajza. Edhe një nga drejtorët e FIFA-s, Marko van Basten, që bënte pjesë në delegacion bashkë me Infantinon, deklaroi se FIFA duhet të përpiqet që ta heqë këtë ndalim.

Sfidanti.al