Përse duhej të ishte Pep Guardiola “topmodeli” më tërheqës në sfilatën e Premier Ligës? Një italian në dukje antipatik, i shkurtër dhe me flokë prej fshatari, po ia merr skenën katalanasit elegant të Mançester Sitit.
Është Antonio Konte trajneri i momentit në kampionatin më të ndjekur të botës, në Angli, dhe Çelsi i tij është dominuesi aktual i renditjes. Triumfi i thellë 5-0 ndaj Evertonit në “Stemford Brixh” ishte një deklaratë e qartë e bluve të Londrës për pretendimet që ata kanë për titullin.
Kurrë Zhoze Murinjo nuk arriti t’i bënte kaq të lumtur tifozët kur drejtonte skuadrën e kryeqytetit. Edhe pse fitoi 3 tituj kampion dhe mjaft trofe të tjerë, sukseset e portugezit ishin me më pak afsh spektakli. Konte, një nga motivuesit më të mëdhenj të lojtarëve që njeh futbolli i sotëm, kërkon edhe të fitojë, edhe të kënaqë.
Suksesi 4-0 ndaj Mançester Junajtidit, pikërisht ekipit të Murinjos, nuk paska qenë rastësi. Ja 5-0 ndaj Evertonit të lojës së ashpër. Eden Hazar ishte frymëzuesi, por nuk mbetën pas Diego Kosta apo Pedro. Papritmas, Çelsi ka sulmin më të mirë të kampionatit (26 gola të shënuar) dhe mbrojtjen më të fortë (9 të pësuar), ka 25 pikë ndaj 24 të Sitit, por mund të mbetet sërish në vendin e tretë, nëse Liverpuli dhe Arsenali i fitojnë ndeshjet e tyre.
Gjithsesi, Jurgen Klopi dhe Arsen Vengeri e dinë se Antonio Konte do të jetë një rival i madh për ta, jo më pak se Guardiola.
B. Kuka