Përse ndillej humbja e Agostinelit në Vlorë? Sëmundja që ka kapur presidentët në këtë sezon për shkarkimin e trajnerëve, po përparon me shpejtësi. Gjasat janë që mund ta humbasësh stolin ..duke numëruar deri në dhjetë. Kur Skënderbeu ishte nisur drejt Vlorës për të fituar kundër kritikës për “lojën e vdekur” dhe për zhdukjen pa gjurmë të Salihit, lexohej kudo se fati i kësaj ndeshjeje ishte i lidhur ngushtë me fatin e italianit në stol. Nëse humbet Skënderbeu, atëhere stoli nuk do të flasë më italisht, por shqip. Tani flitet për Ilir Dajën dhe Redi Jupin, dy vetë të shkollës dinamovite, për stolin e ekipit, që ka shumë meritë për arratisjen e klubit të tyre në kategorinë inferiore.
Edhe Tirana kur ka luajtur me Korabin dhe ka fituar me një gol të sforcuar të Muzakës, festën e golit nuk e kanë bërë të gjithë, ngaqë ishin bërë përgatitje për ndërrimin e trajnerit Daja. U shty disa javë me vonë skenari dhe “gijotina” punoi me vonesë për Dajën. Kur në lojën e tradhëtisë futen edhe futbollistët, më mirë që trajneri të largohet me kokën e tij, sesa përmes një hileje kolektive. Të shohim se sa e duan kampionët trajnerin e tyre, që edhe pse akuzohet si i pabukur në lojë, nuk meriton skenarin që Tirana kurdisi për Dajën.