Kur afrohet Championsi, ritmi bie. Bajerni u përpoq të kursente sa më shumë energji që të kishte mundësi në ndeshjen e radhës në Bundesligë, duke ia dalë edhe që të fitonte. Kampionët dhe kryesuesit kaluan me rezultatin 2-1 në fushën e Volfsburgut, edhe pse luajtën një ndeshje që mund të quhet e dobët. Me vendasit të vendosur të paktën për të mos humbur, për shkak të pozicionit në tabelë, skuadra e trajnerit Jup Hajnkes vuajti jo pak. Volfsburgu kaloi i pari në avantazh, madje shumë shpejt kur Daniel Didavi shënoi që në minutën e 8-të.
Hajnkes kishte lënë pushim disa nga titullarët, për t’i pasur të freskët në Ligën e Kampionëve, dhe pjesa e parë doli shumë problematike. Gjithsesi, pas pushimit “makineria” nga Mynihu nisi të vepronte më mirë dhe nisi përmbysja. U aktivizuan Levandovski, Tomas Myler dhe Alaba, dhe gjithçka ndryshoi. Sulmuesi Vagner shënoi golin e barazimit, ndërsa shumë shpejt u duk se përballja u fitua. Për fat të keq, Arjen Roben e humbi penalltinë në minutën e 55-të, diçka që nuk është se i prishi shumë punë Bajernit.
Diferenca me ndjekësit është shumë e madhe kur duhen edhe jo më shumë se 11 ndeshje deri në mbyllje të kampionatit, ndaj edhe barazimi mund të pranohej. Gjithsesi, ligji i më të fortit sundoi edhe këtë herë, edhe pse u desh sërish një penallti. Në minutën e parë shtesë, Levandovski mori përsipër ekzekutimin e 11-metërshit të fituar nga Roben, duke mos gabuar. Me këtë sukses, Bajerni u ngjit në 59 pikë, plot 21 pikë përpara Leverkusenit.
Sfidanti.al