A mund të besohet? Barcelona, tani “kampione” e pragmatizmit!

Nuk mund të besohet që pragmatizmin e ka edhe kjo skuadër. Barcelona luajti një nga ndeshjet më të dobëta të sezonit, por ia doli të shpëtonte një ditë të keqe dhe të merrte tri pikët në La Liga. Katalanasit, simbol i futbollist spektakolar të paktën në 15 vitet e fundit, nuk menduan aspak të kënaqnin tifozët në stadiumin e Eibarit, apo ata që e ndoqën nga televizori, por synoi vetëm që të fitonte.

Ia dolën me golat e shënuar nga Luis Suarez dhe Zhordi Alba, duke u kthyer tek suksesi në kampionat, por duke i lënë të zhgënjyer admiruesit e tyre të shumtë. Ishte, madje, Eibari që u përpoq më shumë duke e mbajtur topin pothuaj po aq shumë se kundërshtari, duke gjuajtur më shumë drejt portës, duke pasur 6 goditje nga këndi e duke mos e lejuar Barçën që të godiste qoftë edhe një korne.

Trajneri Valverde kishte shqetësim kryesor përballjen me Çelsin në Champions, një duel që pritet të jetë shumë i vështirë, me skuadrën angleze që e ka marrë veten kohët e fundit. Lionel Mesi nuk arriti të shënonte as këtë herë, ashtu siç nuk ia doli as në “Kamp Nou” ndaj Seltës, dhe argjentinasi nuk po kalon momentet e tij më të mira. Gjithsesi, ai ishte ndër më të dalluarit në fushë, duke shërbyer asistin për golin e Suarezit, duke goditur shtyllën dhe duke përgatitur golin e Zhordi Albës, me gjuajtjen e tij të ndaluar nga portieri vendas.

Pavarësisht se Barcelona e Mesi nuk shkëlqyen, nuk duhet të fajësohen edhe aq shumë. Në një sezon të gjatë ka edhe paraqitje të tilla, ndërsa katalanasit kryesojnë ligën spanjolle me diferencë të madhe me rivalët, duke pasur 62 pikë, 10 më shumë sesa Atletiko.

Sfidanti.al