Kristiano Ronaldo e trazoi, edhe një herë tjetër, opinionin publik sportiv, duke provokuar një debat të madh me golin që ai shënoi nga pika e bardhë e 11-metërshit në ndeshjen e fundit të Ligës së Kampioneve me PSZH-në, pasi, sikurse u pa në xhirimin e ngadaltë, topi, në një mënyrë misterioze, u ngrit vetë paksa në ajër, para se CR7-ta ta godiste atë, duke i dhënë atij mundësinë që ta godiste shumë më mirë topin sesa, kur ky i fundit ndodhet i vendosur direkt në bar!! Ylli i Realit të Madridit i ndezi rrjetet sociale me mënyrën sesa ai e ekzekutoi penalltinë. Shumëkush vë në dukje se kjo ishte një mrekulli, por gazeta sportive spanjolle, “As”, jep një shpjegim logjik. Sipas saj, Ronaldo me këmbën e majtë e shtypi ose e goditi fort terrenin, duke bërë që bari të vibronte deri në atë shkallë sa ta ngrinte topin pak në ajër, pikërisht, në momentin, kur Ronaldo e goditi atë fort me këmbën e djathtë. Në fakt, në favor të një teorie të tillë flet edhe deklarata e ish-legjendës së futbollit anglez Rio Ferdinand që theksoi se Ronaldo këtë truk e ka bërë shpesh me sukses edhe në stërvitje, kur ata luanin bashkë me Mançester Junajtidin.
”Ai këtë gjë e ka bërë edhe në stërvitje. Unë nuk e di, nëse ai ka patur si qëllim që të bënte të njëjtën gjë, por ai di që ta bëjë një gjë të tillë, pasi e ka bërë këtë edhe te Junajtidi. E kuptoj që juve ju duket e pabesueshme, por kështu është”, tha Rio Ferdinandi. Është fakt se Ronaldo nuk u befasua aspak që topi u ngrit në ajër dhe ai e goditi atë fort dhe me përsosmëri, pra, u pa qartë se ai e dinte mirë se çfarë po bënte dhe, nëse është kështu, atëherë, kemi të bëjmë me një gjenialitet tjetër të tij.
Sfidanti.al