Siti “kryemilioner”, Kristal Palas mbi Napolin, Evertoni mbi Bajernin

Kur Premier Liga angleze firmosi kontratën prej 5.14 miliardë paund stërlinash në 3 sezone, u kuptua qartë se cili do të ishte trendi i shpenzimeve në futbollin europian. Me këtë pasuri marramendëse, klubet nga ishulli nuk do të kishin, siç nuk patën, rivalë nga kontinenti. Nuk habit shumë fakti se Mançester Siti kryeson renditjen e “milionerëve”, duke pasur skuadrën më të shtrenjë në Europë dhe në botë, por çmerit fakti tjetër se klube normalë anglezë janë mbi gjigandë europianë.

Pep Guardiola drejton një ekip që kushton 777 milionë paund stërlina, apo 875 milionë euro, sipas kursit të sotëm. Prapa Sitit vjen (e kush mund të vinte tjetër), Paris SG, me sheikët që kanë krijuar një ansambël tepër të shtrenjtë me vlerë paksa mbi 800 milionë euro (802.425).

Anglia nuk mund të lihej më shumë se kaq prapa, pasi Mançester Junantidi i Zhoze Murinjos plotëson “podiumin”. “Djajtë e kuq” vlejnë 661 milionë paund stërlina, apo 744 milionë euro. Prapa ekipit të “Old Trafordit” është gjigandi i “Kamp Nout”, Barcelona. Katalanasit, kur vihen në “peshore”, “peshojnë” 721 milionë euro, dhe prapa tyre janë Çelsi e (më në fund) Reali i madh i Madridit, kampion i Spanjës, i Europës dhe i Botës në fuqi. Madrilenët kushtojnë “vetëm” 494 milionë euro, edhe pse kanë shumë yje në përbërje.

Plot 6 ekipe në 10 të parat dhe plot 9 në 20 të parat janë nga Premier Liga. Fuqia financiare e kampionatit anglez bën që Evertoni të jetë përmbi Bajernin. Jo vetëm kaq, por Kristal Palasi, vetëm 1 pikë mbi zonën e rënies nga kategoria, ka më shumë vlerë sesa kryesuesja e Serisë A, Napoli. Ja pra, që paraja mund të jetë shumë e rëndësishme, por nuk është gjithçka.

Askush nuk mund të thotë që Evertoni është më i mirë se Bajerni (e shkeli me këmbë edhe Atalanta) apo që Kristal Palasi mund të matet me Napolin!

Sfidanti.al