Hajnkes i lumtur me Hames Rodrigezin, ndërsa pret Tiagon

Tiago Alkantara nuk është ende gati për t’u kthyer tek Bajerni i Mynihut. Mesfushori i Spanjës pësoi dëmtim në nëntor dhe mezi pret që të japë kontribut te kampionët, veçse trajneri Jup Hajnkes nuk i jep shumë shpresë. “Tiago është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, – thotë “plakushi” 72-vjeçar, – do të ishte e madhe që ai të ishte në fushë që tani, por nuk mundem të rrezikoj. Do t’i duhen dy apo tri javë për të qenë 100 për qind gati, ndërsa nëse nxitohemi dhe dëmtohet përsëri, kjo do të ishte tragjike. Ai ka ëndrra të mëdha me Bajernin dhe me Spanjën në Kupën e Botës”.

Kthimi i Tiagos do të rriste konkurrencën në mesfushë, pasi ai është rival direkt i Hames Rodrigezit. Kolumbiani po shkëlqen gjithnjë e më shumë dhe Hajnkes nuk ka shumë dëshirë që ta ulë në stol, dhe besohet se kjo është një nga arsyet që nuk nxitohet me Tiagon. “Hames është një goditje e menjëhershme në shenjë”, – është komenti i trajnerit bavarez.

Sfidanti.al