NBA “pa respekt” për gjigandët, bien Golden Stejti e Klivlendi

Në një mbrëmje të vetme dy gjigandët më të mëdhenj të NBA-së u rrëzuan përtokë përballë kundërshtarëve të tyre. Golden Stejti kampion dhe Klivlendi nënkampion, ekipet që kanë diskutuar 3 finalet e fundit, dolën të mundur nga fusha.

Golden Stejti nuk duket plotësisht ai i viteve të kaluara, edhe pse i kishte të gjithë kampionët në fushë. Në Denver u mposht 108-115, në një ndeshje të fortë që shkoi pikë më pikë deri në periodën e katërt, kur vendasit u shkëputën. Durant shënoi 31 pikë, Kërri 24 dhe Klej Tompsoni 16, por kampionët nuk ia dolën. Denveri pati lojë kolektive me Bartonin që shënoi 25 pikë, Harrisin 16, Marrejn 15, si dhe me Nikola Jokiçin me 19 pikë, 9 topa në tabela e 5 asistë.

Kavaliersët e Lebron Xhejmsit të paktën humbën ndaj ekipit të momentit, Hjustonit, veçse kjo ndodhi në Klivlend, dhe me një diferencë turpëruese, 88-120! Plot 32 pikë diferencë përballë gati 20 000 tifozëve që nuk po besonin atë që po shihnin. Tifozët as nuk po besonin nëse ai që ishte në fushë ishte Lebron Xhejmsi apo ndonjë tjetër.

“Mbreti” i basketbollit shënoi vetëm 11 pikë në 31 minuta lojë, ndonëse kapi 9 topa në tabela e shërbeu 9 asistë, duke pasur një dy vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje. Tomas e Smith shënuan më shumë se ai (nga 12 pikë), por për Kavaliersët nuk pati shpëtim. Hjustoni, i udhëhequr nga Xhejms Harden (16 pikë, 6 topa në tabela, 9 asistë) dhe Kris Pol (22 pikë, 8 topa në tabela, 13 asistë), u shkëput që në fillim për të mos u arritur më.

Klivlendi pësoi humbjen e 21-të në sezon, ndërsa Hjustoni u afrua në vetëm 1 humbje largësi nga Golden Stejti që kryeson Konferencën Perëndimore.

Sfidanti.al