Përse Reali i Madridit nuk bëri asnjë blerje?

Reali i Madridit nuk ka qenë aspak aktiv gjatë sezonit dimëror të transferimeve, megjithë sezonin e tij të keq të deritanishëm. Për shumëkënd, ky fakt ishte i habitshëm, ndërsa dihet se klubi “mbretëror” kishte probleme, sidomos në segmentijn e sulmit. Në fakt, askush nuk erdhi dhe askush nuk iku, kështu që Reali, në vazhdim të këtij sezoni, do të luajë po me ata 23 lojtarë, me të cilët edhe e filloi sezonin.

Arsyeja se përse Reali nuk solli asnjë lojtar të ri ka lidhje me vendosmërinë e trajnerit Zinedin Zidane që të tregojë se ai ka besim te lojtarët e vet, se ata janë në gjendje që ta fitojnë edhe një herë tjetër titullin e kampionit të Evropës. Vetëm portieri Kepa Arizabalaga do të mund të vinte në Madrd, madje, ai erdhi edhe për kontrolle mjekësore, por jo më shumë se aq, pasi Zidane tha se ai nuk ka nevojë për portier të ri, duke i shprehur besimin portierit të tij aktual, Kejlor Navas.

Zidane nuk donte që “ta trondiste” ekipin, duke shitur Iskon, Kovaçiçin ose Benzeman, për të cilët u interesuan shumë klube. Po ashtu, në ekip mbeten edhe Dani Sebalos dhe Markos Lorente, megjithëse ata nuk janë të kënaqur me minutazhin e lojës.

Sfidanti.al