Gara e rrogave në Premier, Ozil i dyti, Obamejang vetëm i 10-ti!

Ka një garë për tituj, por ka edhe një garë për rrogat në futboll. Padyshim edhe në Premier Ligë ku ka një ndryshim në klasifikim. Mesut Ozil u ngjit në vendin e dytë pasi firmosi rinovimin e kontratës me Arsenalin, duke pasur një rrogë javore bazë prej 300 000 paund stërlinash. Ky fillim viti, pra, ndryshoi krejt kreun, pasi në vend të parë u ngjit Aleksis Sançez i transferuar nga Arsenali tek Mançester Junajtidi dhe që fitoi rrogën bazë prej 350 000 paund stërlinash në javë.

Me Arsenalin lidhet edhe ndryshimi i tretë, veçse jo kaq kryesor. Pier-Emerik Obamejang firmosi për “topçinjtë” e Londrës pasi u largua nga Dortmundi dhe iu dha një rrogë më modeste, prej 180 000 paund stërlinash në javë, që do të thotë se sulmuesi nga Gaboni do të jetë jashtë 10-es së parë. Në këtë 10-she, pesë janë lojtarë të Mançester Junajtidit (Sançez, Pogba, Lukaku, Ibrahimoviç, De Gea), tre janë të Sitit (De Brujn, Aguero, Jaja Ture), një i Arsenalit (Ozil) dhe një i Çelsit (Hazar).

Sfidanti.al