Duhej të ishte ndeshja më e vështirë, por u duk sikur ishte më e lehta. Kevin Durant mendohej se do të ndjente presionin kur të shihte përballë ish-shokët e tij të Oklahomës, në duelin e parë që kur i braktisi për të shkuar tek Golden Stejti. Besohej edhe që Uorriorsi do ta kishte të vështirë ndaj një Rasëll Uestbruku fenomenal.
Ndodhi që Oklahoma nuk pati përgjigje përballë fenomenalit tjetër, Durantit. Nuk qe nevoja që Stefën Kërri apo Klej Tompsoni ta ndihmonin yllin elegant, përkundrazi ishte ai që i ndihmoi ata. Shënoi 39 pikë dhe kapi 7 topa në tabela, në vetëm 31 minuta në parket, edhe pse minutat e para shkuan keq. Barazoi rekordin e karrierës me 7 kosha tripikësh dhe i tregoi tifozëve të tij të rinj si i përket krejtësisht atyre.
Uestbruk nuk e përballoi këtë herë mbrojtjen e fortë të vendasve, duke shënuar 20 pikë, një më pak se shoku i ekipit, Oladipo, ndërsa për Golden Stejtin shkëlqyen edhe të zakonshmit Kërri (21 pikë, 7 asistë) dhe Tomson (18 pikë).
Oklahoma ishte në -10 pikë fillimisht, por rregulloi gjithçka që në periodën e parë me një “vrapim” 10-1, për të dominuar periodën e dytë me shifrat 37-11. Përfundimi 122-96 bëri që dy ekipet më të fortë të Konferencës Perëndimore (së bashku me San Antonion) të jenë tani në pozita të barabarta, me nga 4 fitore e 1 humbje.
B. Kuka