A ka fund gremina për Realin? Edhe Leganjes i mund në Madrid

Humbje dhe eleminim. Dy pilula të hidhura për publikun në “Santiago Bernabeu”, pasi Leganjes realizoi një mbrëmje historike në Madrid duke eleminuar Realin nga Kupa e Mbretit dhe duke dalë në gjysmëfinale. Ishte hera e parë që Leganjes arrinte në çerekfinale, por kjo nuk e pengoi të kualifikohej.

Zinedin Zidan, trajneri më i mirë në botë i vitit të kaluar që fitoi 5 trofe të mëdhenj, me siguri do të shkarkohet nëse skuadra e tij eleminohet edhe nga Paris SG në Champions dy javë më vonë. Edhe pse Reali është 19 pikë prapa Barcelonës në La Liga, Zidan nuk i dha shumë rëndësi Kupës, duke hedhur në fushë shumë lojtarë rezervë.

Mes tyre Ashraf, Teo Hernandez, Kovaçiç, Jorente, Lukas Vaskez, por edhe Asension që është kthyer në futbollist stoli. Ishin edhe Sergio Ramos, Isko apo Benzema, por nuk mjaftuan, ndërsa më pas u hodhën në fushë Luka Modriç, Karvahal e Majoral. Munguan plotësisht Kristiano Ronaldo e Garet Bejl.

Leganjes kaloi i pari në epërsi në 31’ me anë të Havier Erasos. Benzema barazoi me të nisur pjesa e dytë, në 48’, por Gabriel shënoi po shpejt, që në 55’ dhe pas atij momenti rezultati nuk ndryshoi.

Sfidanti.al