Kritika për të ka pasur shumë, por ai nuk është përgjigjur. Granit Xhaka u tregua ashtu siç e ka emrin duke bërë goditjen finale që siguroi finalen e parë të sezonit për Arsenalin, atë të Kupës së Ligës. Në “Uembli” do të luhet ndaj të madhit Mançester Siti të Guardiolës, pasi u eleminua me përmbysje rivali londinez, Çelsi.
Ndeshja e shkëlqyer në “Emirejts” ishte gjysmëfinalja e dytë, pas barazimit 0-0 në përballjen e parë në “Stemford Brixh”. Arsen Venger nuk u kursye me yjet në fushë, edhe pse Aleksis Sançez tashmë është larguar, ndërsa Antonio Konte i dha më pak prioritet Kupës së Ligës. Çelsi kaloi në epërsi me Eden Hazarin në 7’, por një gjuajtje e Naço Monrealit përfundoi në rrjetë në 12’, pasi u prek padashur nga Rydiger.
Arsenali pati më shumë dëshirë dhe sapo u mbush një orë lojë, shqiptari i Zvicrës e kaloi topin mbi trupin e portierit të bluve, Kabajero duke i dhënë avantazhin e parë dhe përfundimtar skuadrës së tij. “Topçinjtë” u duken të rinuar dhe të çliruar pas përfundimit të “sagës Aleksis Sançez”, ndërsa duan të fitojnë një trofe pas eleminimit nga Kupa e Anglisë dhe pozicionimit të dobët në Premier.
Sfidanti.al