Perezi do t’ia japë dikujt tjetër bluzën me nr.10 të Realit!

Reali i Madridit, sikurse kanë disa kohë që po shkruajnë mediumet spanjolle, do të bëjë një rikonstruksion të madh, verën e ardhshme, ndërkohë që po përmenden, gjithnjë e më shumë, emrat e mëdhenj që pritet të vijnë në “Santiago Bernabe”. Nuk është më ndonjë sekret i madh se klubi “mbretëror” synon, në radhë të parë, sulmuesin e talentuar të Totenhemit, Hari Kein, madje, media shkruan se bisedimet për sigurimin e shërbimeve të tij ndodhen në një fazë të avancuar, ndërsa thuhet se ky futbollist anglez ka zgjedhur edhe numrin, me të cilin do të luajë te Reali i Madridit, sezonin e ardhshëm!

“Diario Gol” shkruan se Keini ka kërkuar bluzën me nr.10 që, momentalisht, e mban mesfushori kroat, Luka Modriç. Keini, në fakt, këtë numër mban edhe te Totenhemi, pasi ai është numri i tij i dashur. Thuhet se Modriçi nuk do të bëjë asnjë problem, pasi edhe ai vetë do që të ndryshojë mjedis, verën e ardhshme, ndërsa si destinacione eventuale përmenden Anglia dhe Italia. Sa i përket Keinit, Totenhemi me siguri që nuk do ta lëshojë atë me ndonjë çmim më pak se 180 milionë euro.

Sfidanti.al