Presidenti Duka apo deputeti Braçe? Futbolli virtual mbush “stadiumin”

Pse nuk ndalon, o president! Një thirrje që vjen nga populli i përulur i futbollit, kur dëgjon që ndizet më  tej “derbi verbal” midis presidentit Duka dhe deputetit Braçe.  Një ndeshje që ka mbeldhur më shumë tifozë në “ekranin” e facebook-ut, sesa vetë ndeshja e pompuar Partizani-Skënderbeu. I mbiquajturi “mbreti” nga vartësit e tij në Federatë, që ka pagëzuar politikanin Braçe me metaforën  “mushkonja” ,  po tregon haptazi nëpërmjet debatit se, nuk ka më frikë, si dikur, të luajë edhe në fushën e minuar të politikës.

Sipas zakonit demokratik të futbollit, ku më shumë flitet sesa luhet, debati i fundit i presidentit, nuk është si karamele në ekran, ku ai aplikon tiki-takën me pyetjet dhe përgjigjet e gatshme, por befasues dhe tejet provokues. Një president i madh i një futbolli të vogël, kundër një politikani “të vogël” në vendin e politikës se madhe!  Një ndeshje ndryshe, kur kujton se presidenti Duka luftën klasike e ka patur me të mëdhenjtë e politikës, Berishën apo Ramën e fillimit. Po ta shikosh ndeshjen me servilizëm, nga selia e Federatës, duket sikur po fiton Duka, po ta shikosh me sytë e politikës, as nuk diskutohet fitorja e politikanit. Ata të shkretët, që ngordhën për pak futboll të ndershëm, që kampionati ta ketë shpirtin vetëm në fushë dhe të flaket loja e skedinës, paskan frikë t’i thonë shefit : “ O president, ti je i fortë dhe fiton.. kur nuk flet. Është më mirë të flasin misionarët, sepse ata e durojnë edhe humbjen…

 

 Gëzim Sinemati