Fitorja e Topit të Artë ndodhi vetëm pak ditë më parë. Zyrtarisht, Kristiano Ronaldo quhet lojtari më i mirë i botës, por duket se as kjo nuk e ka bërë të lumtur dhe se po mendon për t’u transferuar.
Lajmet nga Madridi bëjnë me dije se ylli portugez ka mbetur i pakënaqur nga komentet e presidentit të Realit, Florentino Perez, i cili ka ftuar në skuadër yllin brazilian, Nejmar, duke i thënë se në këtë mënyrë mund të fitonte Topin e Artë.
Ronaldo e ka quajtur ofendim përderisa është ai fituesi i Topit të Artë dhe është aktualisht lojtar i Realit, ndërsa thuhet se ka autorizuar agjentin e tij për të realizuar largimin nga Spanja.
Cila mund të jetë skuadra e tij e re? Sipas të gjitha gjasave, flitet për Paris SG. Edhe muajin e kaluar pati zëra se Kristiano kishte biseduar me parizienët, ndërsa është e njohur dëshira e presidentit Naser Al Helaifi për ta pasur atë në ekip.
Besohet se PSG ka gati një oferte prej mbi 100 milionë eurosh për kartonin e yllin madrilen, plus lojtarin gjerman, Julian Draksler. Klauzola e transferimit në kontratën e portugezit është 1 miliardë euro, por kjo shifër cilësohet si e ekzagjetuar nga specialistët. Ronaldo është 32 vjeç dhe këtë sezon nuk ka qenë në formën e tij më të mirë, pavarësisht shënimit të shumë golave në Champions.
Sfidanti.al