Është ende shpejt për të nxjerrë përfundimet. Vetëm 17 ndeshje janë luajtur deri tani në sezonin e Premier Ligës dhe nuk mund të thuash nëse arritjeve të lavdishme të Arsenalit, Mançester Junajtidit apo Çelsit u ka ardhur fundi. Gjithsesi, për aq sa na kanë parë sytë, “e vjetra është shkatërruar” dhe “një botë e re është ngritur gërmadhave”. Migjeni natyrisht nuk e kishte fjalën për Mançester Sitin e Guardiolës kur shkruante vargjet e tij të famshme, por ato fare mirë mund t’i përshtaten ekipit të ri të ëndrrave.
Rekord i ri i Premier Ligës me 15 fitore radhazi, 52 gola të shënuar në 17 takime (3 për çdo ndeshje), +41 diferenca e golave, si dhe vetëm një barazim dhe asnjë humbje deri tani.
Në fushën e Suonsit fitorja ishte 4-0, por mund të kishte qenë shumë më e thellë. Siti krijoi 23 raste, shumë prej të cilëve ishintë pastër. “Tiki taka” po mbretëron, mjafton të kujtohet se njëri nga golat e David Silvës erdhi pas 13 pasimeve dhe 7 lojtarëve. Natyrisht, Guardiola i ka edhe mundësitë për të “shitur kaq shumë mend”. Me një lëvizje të vetme, ai hodhi në fushë Danilon, Mangalën, Agueron e Bernardo Silvën, në vend të Uolkerit, Kompanisë, Gabriel Zhezusit dhe Leroi Sanesë, një lëvizje që vlen 160 milionë euro. Mançester Siti e mbajti topin 78 për qind, ndërsa Guardiola ka tani rekordin e serive më të gjata të fitoreve në La Liga, Bundesligë, dhe Premier Ligë.
Sfidanti.al