Mbas humbjes që pësoi nga Indiana, Klivlendi u kthye shpejt në rrugën fituese, duke e neutralizuar disfatën e parë mbas një pauze prej 13 ndeshjesh dhe duke zhvilluar një lojë të mirë kundër Filadelfias që, në fakt, udhëhoqi në pjesën më të madhe të ndeshjes, por pa gjetur zgjidhje për Lebron Xhejmsin e papërmbajtshëm. Ylli kryesor i Klivlend Kavaliersave ishte jashtëzakonisht i predispozuar për të luajtur dhe me 30 pikët që shënoi, ai kontribuoi në fitoren 105-98 të ekipit të vet. “Mbreti” Xhejms, veç 30 pikëve të shënuar, dha 13 asistenca dhe bëri 13 kërcime në tabelë. Sesa e madhe është merita e tij për fitoren e Klivlendit e tregon edhe fakti se dy basketbollistët e tjerë koshashënues të Klivlendit, Korver dhe Ueid, shënuan gjithsej nga 13 pikë.
Krahas Lebronit, në një formë mjaft të mirë, në atë mbrëmje, ishte edhe Xhejms Hardeni që vazhdon performancat e tij të shkëlqyera gjatë këtij sezoni dhe me 48 pikët që shënoi, ai kontribuoi më së shumti për fitoren e Hjustonit të tij 124-117 me Portlendin në fushën e këtij të fundit.