Partizani i Beogradit e kishte siguruar kualifikimin që një javë më parë, por Crvena Zvezdës iu desh të priste. Gjithsesi, skuadra më e mirë për momentin e Serbisë, e bëri atë që prisnin tifozët e saj duke mundur 1-0 Këlnin në “Marakana” dhe duke kaluar në të 16-at e finales së Ligës së Europës. Për herë të fundit, Zvezda ia kishte dalë në 1992 kur ishte kampione në fuqi e Europës.
Një gol i shënuar në minutën e 22-të nga Sllavoljub Srniç ishte i mjaftueshëm për të siguruar suksesin dhe për të zënë vendin e dytë në grup pas Arsenalit që mundi 6-0 BATE-n e Borisovit nga Bjellorusia. Plot 50 000 tifozë ishin në stadiumin që sot mban emrin “Rajko Mitiç”, por që populli beogradas e njeh si “Marakana”. Me dy ekipe në 32 më të mirët e Ligës së Europës, Serbia është në ditët e saj më të mira.
Edhe shumë skuadra të tjera të Europës Lindore siguruan kualifikime. Jo vetëm Dinamo e Kievit, por edhe Astana e Kazakistanit, Ludogorec i Bullgarisë, Lokomotiv e Moskës, Viktoria Plzenj e Çekisë e Steaua e Bukureshtit, si dhe Zeniti i Shën Petersburgut që triumfoi 3-1 në Spanjë ndaj Sociedadit dhe zuri vendin e parë në grup me 16 pikë (5 fitore e 1 barazim) dhe me 17 gola të shënuar.
Sfidanti.al