“I urti” Jup Hajnkes gjen “melhemin” për Hames Rodrigezin

Reali i Madridit e mori për 75 milionë euro, por thuajse asnjëherë nuk ia ndjeu “lezetin”. Hames Rodrigez u kritikua si “bohem” në kryeqytetin e Spanjës, si njeri që i kishte rënë lavdia dhe pasuria në kokë dhe që nuk po mendonte sa duhet për futbollin. Në verë u huazua tek Bajerni nga Karlo Ançeloti, por me largimin e italianit u mendua se do të vinin kohë të vështira edhe për kolumbianin. Jo, jo, aspak. Edhe me “të ftohtin” dhe “gjermanin” Jup Hajnkes, latinoamerikani po shkëlqen, dhe çfarë shkëlqimi.

Trajneri i bavarezëve e lavdëron shumë talentin që ishte i mrekullueshëm tre vjet e ca më parë, në Kupën e Botës 2014 në Brazil, pikërisht aty ku Reali “ra në dashuri” me të. Nuk dihet se çfarë “magjie” i ka bërë Hajnkesi, Hamesit, por duket se arsyeja kryesore është që i ka dhënë besim dhe ka krijuar një sistem ku ai mund të shprehë gjithë potencialin e tij. Jo më kot, Mats Humels thoshte pak javë më parë se “sot është koha e dhelprave të vjetra që luajnë me 4-5 sisteme taktike”.

Hajnkes ka konfirmuar se Hames Rodrigez do të jetë titullar ndaj Paris SG sot në Champions, por nuk ka zbuluar skemën, pasi pret të shikojë gjendjen fizike të disa lojtarëve si Tomas Myler, Kingsli Koman apo Frank Riberi.

Sfidanti.al