Një objektiv duket se e kanë të përbashkët. Edhe Reali, edhe Bajerni, po mendojnë për të marrë të njëjtin lojtar, Timo Vernerin. Sulmuesi 21-vjeçar i Lajpcigut shihet si një zgjidhje e problemeve në ofensivë edhe për Jup Hajnkesin, por edhe për Zinedin Zidanin. Dihen fjalët lavdëruese të trajnerit të bavarezëve për Vernerin (“Bajerni duhej ta kishte marrë kohë më parë”), ndërsa mediat spanjolle tani raportojnë se madrilenët po mendojnë të bëjnë një përpjekje për ta sjellë në “Bernabeu” që në janar. Shefi ekzekutiv i Bajernit, Karl-Hajnc Rumenige, ka pohuar se “nëse Hajnkes e do Vernerin, ne do të bëjmë ç’mos që ta marrim”. Kemi pra, një duel mes dy prej klubeve më të mëdhenj të Europës për talentin 21-vjeçar të sulmit të Gjermanisë, që Lajpcigu e mori vetëm për 11-12 milionë euro.
Sfidanti.al