Çfarë ndodh tek Juventusi, a do ta shkatërrojnë sherret këtë sezon?!

Zyrtarisht nuk ndodh kurrë asgjë. As kur Pol Pogba po largohej tek Mançester Junajtidi, Juventusi nuk konfirmonte. Punë e vet, pasi klubi nuk dëshiron “telenovelat”, veçse momenti duket sërish i vështirë dhe “përbetimet” për të përgënjeshtruar lajmet sikur nuk pijnë shumë ujë. Informacioni nga Italia është që Juventusi ka krisje në skuadër, dhe kjo sipas linjës “të vjetër-të rinj”, madje edhe “të huaj-italianë”. Lajmet janë për sherre dhe për 3 të huaj që paskan kërkuar të largohen që në janar.

Nuk jepen emra, por portalet e ndryshme kanë postuar foton e Miralem Pjaniçit. A thua boshnjaku është një nga këta të huaj që paskan kërkuar largimin? Juventusi deklaron zyrtarisht se “lajmi është pa asnjë bazë”, veçse edhe vjet u fol për disa konflikte të trajnerit Alegri me lojtarë, gjë që u konfirmua me largimin e Bonuçit tek Milani.

Sfidanti.al