Partizani e Skënderbeu ndajnë pikët, por Starova më afër fitores

Ndoshta u ndje edhe lodhja, por Skënderbeu mund të quhet me fat që doli barazim në kryeqytet. Skuadra më e mirë e Shqipërisë, një nga më të denjat edhe në Ligën e Europës, e pati të vështirë të përballonte për gati 95 minuta një nga rivalët më të fortë, Partizanin. Përfundoi 0-0 me korçarët e trajnerit Daja që nuk rrezikuan ndonjë gjë të madhe në kryesimin e tyre të Superligës, por me të kuqtë që duhet të kenë kafshuar gishtat në përfundim.

Trashi e Sukaj humbën raste të sigurta goli në pjesën e dytë, pikërisht atëherë kur Skënderbeu provoi lodhjen e një sfide shumë të fortë, në një terren të vështirë, dhe vetëm 4 ditë pas një ndeshjeje tepër të fortë ndaj Dinamos së Kievit në Europë.

Nuk mund të thuhet se miqtë nuk luajtën. Edhe ata patën mundësitë e tyre me Xhejmsin apo Takun, por gjithsesi nuk ishin plotësisht vetvetja. Në përgjithësi, u luajt një duel taktik mes dy mjeshtrave me pëvojë në Superligë, si Sulejman Starova e Ilir Daja, ku asnjëri nuk kishte dëshirë të humbiste.

Skënderbeu mbeti sërish I pamundur, me 8 fitore e 4 barazime deri tani në kampionat, dhe me një diferencë prej 6 pikësh nga Kukësi I vendit të dytë. Po ashtu, kryesuesit kaluan me sukses një nga ndeshjet më të vështira të kampionatit, në fushën e njërit prej rivalëve.

Partizani, ndërkaq, duhet të jetë dëshpëruar, pasi barazimi e la thjesht në vendin e gjashtë nga 10 skuadra gjithsej të Superligës, 13 pikë pas vendit të parë, dhe 7 prapa Kukësit. Gjithsesi, pas suksesit pikërisht në Kukës, mënyra sesi përballoi Skënderbeun, duhet të ketë rritur moralin te kryeqytetasit.

Sfidanti.al