Këta vlonjatë u dukën si nga Gjermania. Fitorja në futboll arrihet edhe në minutën e fundit, edhe në kohën shtesë, dhe shpresë ka derisa gjyqtari të vërshëllejë. Kështu ndodhi me Flamurtarin që gdhihet i dyti në Superligë pas fitores në Lushnjë. Ishte një goditje me roveshatë nga Liçaj në minutën e parë shtesë që i dha fitoren minimale skuadrës së trajnerit Shpëtim Duro, në një përballje që nuk pritej kaq e vështirë.
Lushnja luftoi fort deri në fund dhe mund të kishte marrë fare mirë edhe barazimin, por gaboi pikërisht në përmbyllje. “Mëkat që një gabim prishi gjithë punën e bërë”, – komentoi trajneri i Lushnjes, shkodrani Dedja. “Kalendari është katastrofë, – u ankua Duro i Flamurtarit, – fitorja ime më e madhe është që publiku vlonjat i pëlqen dhe i vlerëson lojtarët e rinj të ardhur në skuadër”.
Flamurtari ka tani 20 pikë në 11 ndeshje të luajtura, në vendin e dytë mbi Kukësin, ndonëse është keq me numrin e golave të shënuar, vetëm 12, shumë më pak sesa Skënderbeu apo Kukësi, madje më pak edhe se Teuta.
Sfidanti.al