La Liga, sa sezon i vështirë për Realin dhe kapitenin Ramos!

Sergio Ramos padyshim është një nga lojtarët më krenarë të Realit, por edhe të gjithë botës. Gjithsesi, këtë sezon krenaria e tij është shumë e prekur nga mënyra sesi po ecin gjërat në kampionatin spanjoll. Barazimi 0-0 në derbin ndaj Atletikos, në stadiumin “Uanda Metropolitana” bëri që të dyja skuadrat e Madridit të mbeteshin 10 pikë prapa Barcelonës kryesuese.

Momenti simbolik i vuajtjeve të tij dhe të Realit ishte dëmtimi në një dyluftim në zonë, kur Ramos përfundoi me hundën të thyer. Kapiteni mori mjekim të zgjatur, ndërroi edhe bluzën, por mundi të vazhdonte në fushë deri në fund të pjesës së parë, kur u zëvendësua nga Naço. Madridi i Zidanit për momentin është hija e sezonit të kaluar, ndërsa golshënuesi kryesor i ekipit, Kristiano Ronaldo, sërish nuk e gjeti rrugën e rrjetës. Ai mbetet vetëm me një gol në La Liga pas 12 javësh, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Sfidanti.al