Tashmë Golden Stejt nuk frenohet më. Në ‘Oracle Arena’, skuadra kampione e NBA mundi majemi hit 97-80 duke regjistruar fitoren e 7 në 8 ndeshjet e fundit. Ajo që të bie në sy për skuadrën e Uorriors në këtë fitore është se kjo skuadër përherë të parë pas 18 muajsh arrin të fitojë një ndeshje me më pak se 100 pikë të shënuara.
Golden Stejt e vendosi fatin e sfidës në periodën e dytë dhe të tretë dhe më i miri në parket për këtë skuadër ishte Kevin Durant me 21 pikë, 6 pasime dhe 8 topa në tabelë, kurse Kërri nuk shënoi më shumë se 16 pikë. Një sukses ky që i jep mundësinë Golden Stejtit të jetë në krye të klasifikimit në Konferencën e perëndimit së bashku me Hjuston Rokets.
Ndërsa në Lindje skuadra që ka vënë diktatin është Boston Seltiks. Skuadra nga Masaçustes mundi Atlantën e vendit të fundit 110-107 duke shënuar fitoren e 9 në 11 ndeshje të luajtura. Pas një pjese të parë të përfunduar me barazimin 54-54, Bostoni filloi të bëjë diferencën në parket në 12 minutat e treta ku ai që spikati ishte Kajri Irving që e mbylli ndeshjen me 35 pikë të shënuara. Në ndeshjen tjetër të NBA, Bruklin mundi Finiks Sans në Arizona me rezultatin 98-92 ku më i miri për të ishte D’Anxhelo Rasëll me 23 pikë e 8 pasime.
Sfidanti.al