Alvaro Morata, nga i rrezikuari i madh, në shpëtimtarin e madh!

Suksesi i Çelsit ndaj Mançester Junajtidit pati mbi të gjithë një emër, Alvaro Moratën. Ishte sulmuesi spanjoll që shënoi golin e vetëm të përballjes në “Stemford Brixh”, ndërsa Blutë nuk e trajtuan ish-trajnerin e tyre, Murinjo, aq mirë sa presidenti Abramoviç që e ftoi për drekë përpara takimit. Morata, djaloshi i shkëlqyer që ia di thellësisht për nder Kontes, ndihmoi trajnerin e tij që të kalonte një moment shumë të vështirë, dhe të mbetej në garë, të paktën për vendin e dytë.

Pak ditë para ndeshjes, Morata u shpreh se “detyra ime është që të shënoj shumë gola, ndryshe klubi do të blejë një sulmues tjetër, dhe do të ketë të drejtë që ta bëjë”. Me këtë paraqitje, drejtuesit e londinezëve nuk besohet se e mendojnë diçka të tillë. Golat e tij e kanë ndihmuar Çelsin që të mos mbetet prapa rivalëve në një sezon shumë të vështirë, ku skuadra nuk e ka thellësinë e nevojshme, ndërsa Reali i Madridit me siguri “kafshon duart” që pranoi largimin e tij, qoftë edhe për 75 milionë euro. Me një Ronaldo thuajse të shuar, me Bejlin shpesh të dëmtuar, dhe Benzemanë indiferent, Morata do të ishte shpëtimi i vetëm i skuadrës së Zidanit, që është 8 pikë prapa Barcelonës në La Liga, dhe që ka shënuar 22 gola në 11 javë, pak për standardet madrilene,  dhe 8 gola më pak sesa Barça e Valencia.

Sfidanti.al