Energjia për të motivuar dhe dëshira për të fituar janë gjithnjë. Këto kanë qenë dhe mbeten armët e forta të Xhani De Biazit, padyshim edhe zotësia taktike, ndërsa është i zhytur plotësisht në sfidën e vështirë me Alaveshin. Pas fitores së ndeshjes së parë, që pas caktimit në detyrë, ish-trajnerit të Shqipërisë i dërgova një mesazh urimi pikërisht duke e vlerësuar për “energjinë, motivimin dhe dëshirën”. Si përgjigje, De Biazi ishte lakonik: “Të falenderoj, shpresoj që të mjaftojnë”.
U desh të kalonin tri ndeshje me humbje që italiani të shijonte fitoren e dytë me Alaveshin, sukses 1-0 ndaj Espanjolit, që e ngjiti të paktën në vendin e tretë nga fundit në ligën spanjolle. Një vend më poshtë sesa është objektivi për mbijetesën. Me 6 pikë, shanset mbeten, edhe pse veterani i stolit kërkon diçka më tepër nga skuadra. “Duhet të kemi më shumë personalitet në fushë, – tha De Biazi, – edhe më shumë ekuilibër. Meritojmë më shumë pikë dhe meritojmë që të vuajmë më pak”.
Sfidanti.al