Edhe sikur të jenë ëngjëj dhe të mos pranojnë të korruptohen, ashtu siç thuhej rëndom, disa nga arbitrat e kanë të pamundur të mos gabojnë, kjo për shkak të aftësive shumë të limituara fizike. Në testet e fundit, të zhvilluara në Elbasan, tre prej gjyqtarëve kryesorë nuk e kaluan klasën, ndërkohë që listës së tyre iu shtuan edhe rreth 18 asistentë të Kategorisë Superiore dhe poshtë saj. Ndërsa pas fillimit të tmerrshëm në kampionatin elitar, së fundi arbitrat janë bërë protagonist në pothuajse të gjitha ndeshjet e Kategorisë së Parë, aq sa moviolat e shumta e kanë spostuar fare vëmendjen nga futbolli i luajtur.
Paradoks është fakti, se në testimet e janarit, po këta arbitra i kaluan testet fizike të organizuara nga FSHF, ndërsa tani nuk kishin asnjë shans, pasi “provimi” i Elbasanit u mbykqyer nga polaku Gregori Kizesk, i cili ka qenë present edhe në testimin e arbitrave të Europianit të Francës dhe për fatin e keq të këtyre tanëve ka qenë atlet. Ndërkohë që si inspektor i UEFA-s kishte mbërritur edhe irlandezi Alan Snodi edhe ai nga vendi i vrapit. Duhet përmendur, që FSHF kishte gjetur për t’i provuar arbitrat fizikisht menjëherë pas një jave kampionati, kur gjunjët e tyre delikate ishin të rënduara… nëse kjo mund të përdoret si alibi.
Saimir Demi