Higuain bën Alegrin me krahë: Juve, mund të fitosh Championsin!

Kritikat për të kanë qenë të shumta, por në dy ndeshje radhazi, i bëri të gjithë të ngrihen në këmbë dhe të duartrokasin. Është Gonzalo Higuain, sulmuesi i momentit në Serinë A, ndoshta po aq, apo edhe më shumë sesa të tillë si Mauro Ikardi, Çiro Imobile apo Edin Xheko. Argjentinasi, që hoqi “picir” edhe në kombëtare, tregoi vlerat e tij të mëdha në suksesin 2-0 në “San Siro” ndaj Milanit, me një Juventus që po gjen gjithnjë e më shumë veten në kampionat.

Dy gola të “El Pipitës” që bënë edhe trajnerin Alegri, zakonisht të përmbajtur, që të kërcente përpjetë nga gëzimi. “Nëse Juventusi luan gjithnjë kështu, mund të fitojë edhe Championsin”, – tha “Max”-i. Higuain arriti në 101 gola të shënuar në ligën italiane, në 153 ndeshje të luajtura (71 Napoli, 30 Juve). Bashkë me Zllatan Ibrahimoviçin, bëhet i vetmi lojtar në 20 vitet e fundit që shënon më shumë se 100 gola në dy liga të mëdha. Gonzalo ka shënuar 101 në Serinë A dhe 107 në La Liga me Realin, ndërsa Ibra ka 122 në Serinë A dhe 113 në Ligën e Parë të Francës.

Edhe në Serinë A, Juventusi është kthyer dhe ka tani 28 pikë, po aq sa Napoli që ende nuk ka luajtur, ndërsa është imponues me 33 gola të shënuar, më shumë se gjithë të tjerët (Napoli 29 me -1 ndeshje).

Me lojtarë si Bufon, Kielini, Kedira, Pjaniç, Manxhukiç, Higuain, Dibala apo Kuadrado, por edhe me Barxalin, Aleks Sandron apo Matyidinë, Alegri vërtet mund të shpresojë. Milani, ndërkaq, është zhgënjimi i sezonit, gati të mbetet 15 pikë prapa vendit të parë (me një fitore të Napolit ndaj Sasuolos) dhe me rrezikun që të mos jetë fare në Europë sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al