Luka Donçiç si Drazhen Petroviç, slloveni në gjurmët e kroatit të madh

Nëse Jugosllavia do të ishte sot e bashkuar, Luka Donçiç do të quhej pasardhës direkt i Drazhen Petroviçit, edhe pse me numrin 7, dhe me shtatlartësinë, më shumë i shkon krahasimi me Toni Kukoçin. Gjithsesi, Jugosllavia nuk ekziston më dhe Sllovenia është shtet më vete, ashtu si edhe Kroacia e dy yjeve të mëparshëm.

Donçiç po e krijon krahasimin me Drazhenin pikërisht këtë sezon, ndërsa është 18 vjeç dhe po udhëheq skuadrën e tij në Euroligë, pikërisht Realin e Madridit. Pasi shënoi 27 pikë në Madrid ndaj Milanos së famshme italiane (duke kapur 8 topa në tabela, dhënë 5 asistë, vjedhur 3 topa), ai shkëlqeu një javë më vonë. Në Kaunas, ndaj Zhalgirisit, shënoi 28 pikë (rekordin personal), kapi 9 topa në tabela dhe shërbeu 4 asistë.

Ashtu si Petroviçi, ai është një “dashnor i basketbollit”, një njeri që jeton vetëm për këtë sport, që “fle” me topin në nënkresë, një manjak i përsosmërisë. Drazheni pati pikërisht një sezon të tillë kur ishte 18 vjeç dhe kur luante për Shibenkën në Jugosllavi. Ai pati 24.5 pikë si mesatare në kampionat dhe në Kupën Koraç, ku arriti deri në finale dhe u mund nga Limozhi. Donçiç e ka mesataren 24 pikë për ndeshje në 4 ndeshjet e para, duke qenë me diferencë lojtari më i mirë. Besohet se, ndryshe nga kroati i ndjerë, ai do të shkojë më shpejt në NBA për të realizuar më shumë potencialin e jashtëzakonshëm që ka.

Sfidanti.al