Një “Mbret i varfër”, Reali në Kupë kushtoi “vetëm” 60 milionë!

Sezonin e kaluar, debutimi në Kupën e Mbretit ishte i denjë për emrin e garës. Zinedin Zidan nxorri në fushë një Real vërtet “mbretëror” ndaj Leonit, edhe pse nuk ishin të shkëlqyerit Ronaldo, Ramos, Modriç, Benzema e Bejl. Mjaftuan të tjerët dhe vlera e përgjithshme e njëmbëdhjetëshit titullar madrilen ishte afërsisht 240 milionë euro (238.5 mln). Në fushë ishin Karvahal, Pepe, Danilo, Isko, Asensio, Lukas Vaskez, Hames Rodrigez e Morata.

Këtë herë, në fitoren e vështirë 2-0 në fushën e Fuenlabradës, Zidan pati mendim tjetër, duke bërë një rotacion shumë më agresiv. Titullarë ishin të tillë si Kasija, Ashraf, Vajeho, Naço, Teo, Jorente, Lukas Vaskez, Sebajos, Asensio apo Majoral, që sipas përllogaritjes së gazetës “Marka” kushtojnë “vetëm” 60 milionë euro. Pra 180 milionë më pak se vjet, ose 4 herë më pak. Vlerësimi për fitoren e Realit ishte “dobët”, pas dy golave me penallti shënuar nga Markos Asensio e Lukas Vaskez.

Sfidanti.al