Maradona: “Më dhimbte shpirti, kur ja dhashë çmimin Ronaldos…!”

Diego Armando Maradona, në shoqërinë e Luis Nazario de Lima Ronaldos legjendar, ishte ngarkuar që të jepte çmimin “The Best” (Më i miri) për lojtarin më të mirë të vitit 2017 dhe, sikurse e dimë ne tashmë, ky trofe iu dha Kristiano Ronaldos që, definitivisht, ishte lojtari kyç që kontribuoi më së shumti që Reali fitoi titujt e kampionit në Primera dhe Ligën e Kampioneve.

Ish-futbollisti i famshëm argjentinas, si një xhentelmen i madh, e uroi dhe e përqafoi Ronaldon për arritjet e tij të mëdha në karrierën e vet, por, në thelb, ky “gauço” i paharrueshëm e kishte mjaft të vështirë që të bënte atë që bëri. Në një prononcim të mëvonshëm në televizionin argjentinas “Tik Sports”, Maradona vuri në dukje se, në momentin, kur po i jepte çmimin Ronaldos, atij i dhëmbi në shpirt, sepse ai do të donte që të këtë çmim t’ia jepte bashkatdhetarit të tij, Lionel Mesi, me të cilin ai pati një takim të përzemërt mbas një kohe të gjatë.

“Mua më dhëmbi në shpirt, kur ja dhashë çmimin Ronaldos, për një arsye. Unë desha që atë çmim t’ja jepja Leos dhe dua ta pranoj se më erdhi shumë keq që nuk ja dhashë atij. Por, megjithatë, Ronaldo e meritoi plotësisht çmimin, pasi ai kishte një epërsi të madhe mbi të tjerët”, vuri në dukje Maradona.

Sfidanti.al