Të gjithë e kanë dëgjuar atë shprehjen shurdhuese, që ky i yni është një prej kampionateve më të mirë të rajonit, madje së fundi na është thënë gjithnjë e më shpesh. Duket se kjo është strategji imponuese dhe për ta përhapur në të gjithë territorin janë angazhuar një ushtri njerëzish të mediave, madje disa prej këtyre të fundit, shumë influente në opinion. Dhe meqenëse në këtë rast i referohen cilësisë, gjithçka e thënë me superlative mbetet një llomotitje e përsëritur, vetëm për arsyen sepse I nevojitet institucionit për propagandë. Në një takim të fundit me gazetarët, me rastin e përfundimit të fazës eleminatore për Botërorin “Rusia 2018” edhe vetë presidenti Duka u duk i neveritur me shprehjen që ka urdhëruar. I pyetur se pse nuk shihen nga trajnerët e Kombëtares, futbollistë që luajnë në kampionatin tonë, duke iu referuar më së shumti Lilajt të Skënderbeut, bosi i FSHF-së u përgjigj, se kjo kishte të bënte me cilësisënë e kampionatit. Sipas tij, kaq është niveli i futbollit që luhet në Shqipëri dhe për të shpresuar dikush për një fanelë të përfaqësueses, ndoshta duhet të veprojë si Latifi, i cili u largua drejt Hungarisë, për të gjetur më pas Kombëtaren.
Ky përfundim i Dukës është më së paku mungesë mëshire, për ata që me stoizëm ia shpërndanë urdhrin, madje duke mos marrë parasysh asgjë, as personalitetin e tyre. Dhe ja cili është shpërblimi… Pikërisht përpara fytyrave të tyre të ngrira, u bëri të ditur se ne kemi një kampionat mediokër. U tha, se për të mbërritur në Kombëtare duhet të largohesh nga Skënderbeu, skuadra pjesmarrëse në fazën e grupeve të Europa League dhe të shkosh tek një skuadër si Pushkash Akademi, që renditet në vendin e 8-të, në një kampionat modest, ku në kategorinë Superiore marrin pjesë vetëm 12 skuadra. T’i trajtosh kështu njerëzit e tu është vërtetë e dhimbshme dhe më e keqja është se ata do të vazhdojnë të na thonë, që jemi dëshmitarë të një futbolli për katalog, pasi kjo lloj proagande është pjesë e një strategjie afatgjatë.