Tuhel, Klop apo kush? Pyesni Guardiolën për trajnerin e Bajernit!

Pep Guardiola nuk është më trajner i Bajernit. Gjithsesi, ai e di se cili do të ulet në stolin e klubit bavarez. Ja pra që kjo ka mundësi të ndodhë, vetëm pak ditë pas largimit të Karlo Ançelotit, ndërsa katalanasit përfitoi nga ndërprerja e sezonit të klubeve për të shkuar në Mynih.

Trajneri i Mançester Sitit takoi mikun e tij të vjetër, Uli Hënesin, presidentin bavarez që e mori si trajner katër sezone më parë (“Habemus Pep”, u shpreh Uli atëherë). Një drekë u konsumua në një restorant të kryeqendrës së Bavarisë, ku siç duhet Hënes dhe Guardiola diskutuan për trajnerin e ri të Bajernit.

Mendohet se presidenti i kërkoi mendim Pepit, duke e vlerësuar lart përvojën dhe nuhatjen e tij në futboll, dhe siç duket takimi ishte i frytshëm. Menjëherë pas tij, Hënes deklaroi se “trajnerin e ri do ta mësoni shpejt”, ndërsa spekullimet janë që në stol mund të emërohet ish-drejtuesi i Dortmundit, Tomas Tuhel. Në listë, sipas mediave, janë edhe emrat e Jurgen Klopit dhe Nagelsmanit të Hofenhajmit.

Sfidanti.al